Aktor | Producent | Menaxher Kulturor | Themelues Festivali
Ridvan Murati, i lindur në vitin 1981 në Gjilan (Kosovë), jeton në Zvicër që nga viti 2008. Studimet për aktrim i përfundoi në vitin 2004 në Maqedoninë e Veriut. Që nga viti 2000 ai është aktiv si aktor, producent dhe veprimtar kulturor, duke marrë pjesë në shumë projekte teatrore, televizive dhe filmike në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Zvicër.
Karriera e tij artistike në Zvicër filloi në Theater Falle Basel (Reactor Theater), ku vazhdon të interpretojë rregullisht edhe sot. Përveç teatrit, ai ka luajtur në prodhime të ndryshme filmike dhe televizive zvicerane, ndër to në serialin kriminal “Tatort” dhe në komedinë e suksesshme kinematografike “Eden für Jeden”.
Aktualisht, Ridvan Murati është pjesë e filmit artistik “Heldin”, i cili pati premierën botërore më 17 shkurt 2025 në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale). Filmi është shfaqur në më shumë se 150 shtete dhe që nga korriku i vitit 2025 është i disponueshëm në Netflix. “Heldin” u përzgjodh nga Zvicra si kandidatura zyrtare për edicionin e 98-të të Academy Awards (Oscar) në kategorinë “Filmi më i Mirë Ndërkombëtar” dhe arriti deri në listën e ngushtë (shortlist) të 15 filmave më të mirë në botë. Gjithashtu, filmi u nderua me çmimin Swiss Academy Award dhe fitoi çmimin prestigjioz Prix Walo 2026.
Nga viti 2017 deri në vitin 2020, Ridvan Murati ishte aktor dhe producent i sitcom-it më të suksesshëm në gjuhën shqipe “O Sa Mirë”. Më pas, nga viti 2020 deri në vitin 2024, ai mori pjesë si aktor dhe producent në serialin e njohur televiziv “Sha je tu folen”.
Përveç angazhimit të tij para kamerës, Ridvan Murati është drejtor ekzekutiv i Plan B Creative Agency në Cyrih, një agjenci e specializuar në marketing, komunikim dhe menaxhim eventesh. Ai gjithashtu organizon dhe prodhon projekte kulturore dhe festivale në Zvicër dhe Gjermani.
Si themelues dhe drejtor i festivalit “Zürich Shqip Up Comedy Festival”, ai ka krijuar një nga festivalet më të mëdha të komedisë shqiptare në Evropë. Festivali bashkon artistë nga vende të ndryshme dhe promovon shkëmbimin kulturor mes Zvicrës, Gjermanisë, Kosovës dhe vendeve të tjera evropiane. Në vitin 2026, festivali është zgjeruar edhe jashtë Zvicrës, me shfaqje në Köln më 25 prill 2026, në Frankfurt më 5 dhjetor 2026, si dhe në Zürich. Festivali feston vitin e tij të 5-të jubilar më 31 tetor 2026.
Së fundmi, Ridvan Murati, së bashku me drejtuesit e Telegrafit, mediumit më të madh në Kosovë, ka hapur edhe edicionin e Telegrafit në Zvicër, me qëllim afrimin më të madh me ngjarjet e përditshme në Zvicër dhe diasporë.
Përveç kësaj, Ridvan Murati është i angazhuar si përgjegjës projektesh në Swissalbs Kultur, ku kontribuon në zhvillimin e projekteve kulturore dhe forcimin e dialogut ndërkulturor mes Zvicrës dhe diasporës shqiptare.